PorosiRestoranteOperacione

Si të menaxhoni porositë në restorant pa humbur asnjë

Porositë humbasin gjithmonë në të njëjtat pika: mes tavolinës dhe kuzhinës, mes kuzhinës dhe banakut, dhe në fund të turnit. Ja ku prishet cikli dhe si rregullohet.

O

Oltion Elezi

·2 min lexim

17 shikime
Si të menaxhoni porositë në restorant pa humbur asnjë

Kur një porosi humbet, rrallë fajin e ka dikush. Faji e ka pika e dorëzimit — vendi ku informacioni kalon nga një person te tjetri pa lënë gjurmë.

Në një lokal që punon me letër, ka të paktën katër pika të tilla.

Ku prishet cikli

1. Nga tavolina te kuzhina

Kamarieri shkruan, ecën, e vendos fletën. Nëse fleta bie, nëse dy fletë ngjiten bashkë, ose nëse shkrimi nuk lexohet, porosia thjesht nuk ekziston. Askush nuk e di deri sa klienti pyet.

2. Mes kuzhinës dhe banakut

Një tavolinë porosit ushqim dhe pije. Fleta shkon në kuzhinë. Pijet harrohen, ose banaku i përgatit shumë herët dhe arrijnë të ftohta. Ndarja e stacioneve bëhet me zë, dhe zëri humbet në zhurmë.

3. Kur porosia bëhet gati

Kuzhina thërret. Nëse kamarieri është në katin tjetër, pjata pret. Koha mes "gati" dhe "në tavolinë" është koha që klienti e ndjen më shumë, dhe është koha që matet më rrallë.

4. Në fund të turnit

Fletët mblidhen dhe numërohen. Ajo që nuk u shkrua, nuk u faturua. Diferenca mes asaj që doli nga kuzhina dhe asaj që hyri në arkë zbulohet — nëse zbulohet — një javë më vonë.

Si duket një cikël që nuk humbet

  1. Porosia merret në tavolinë, në pajisje, jo në letër. Regjistrohet në momentin që konfirmohet.
  2. Ndahet automatikisht sipas stacionit. Ushqimi shkon te kuzhina, pijet te banaku — pa e vendosur njeri këtë me dorë.
  3. Kuzhina sheh një radhë, jo një grumbull fletësh. Me kohën e pritjes për çdo artikull.
  4. Statusi ndryshon kur artikulli bëhet gati, dhe kamarieri e sheh pa pyetur.
  5. Fatura ndërtohet vetë nga ajo që u porosit, jo nga ajo që kujtohet.
  6. Turni mbyllet me numra që ekzistojnë tashmë, sepse çdo veprim u regjistrua kur ndodhi.

Çfarë të matni pasi ta ndryshoni

Nëse kaloni në porosi digjitale dhe nuk matni asgjë, nuk do ta dini nëse ia vlejti. Tre numra mjaftojnë:

  • Koha nga porosia te kuzhina. Duhet të bjerë pothuajse në zero.
  • Koha nga "gati" te tavolina. Kjo tregon nëse njoftimi po funksionon.
  • Diferenca mes kuzhinës dhe arkës në fund të ditës. Ky është numri që tregon sa porosi po humbnin më parë.

Një paralajmërim praktik

Mos e ndryshoni sistemin në fundjavë dhe mos e ndryshoni në pik të sezonit. Stafi mëson një rrjedhë të re më shpejt në një të martë të qetë, dhe gabimet e javës së parë kushtojnë shumë më pak.

Nëse doni ta shihni këtë cikël të plotë në praktikë, e kemi përshkruar hap pas hapi te faqja e sistemit POS për restorante.

Lexoni më tej

Kostoja e recetave: ku humbet fitimi i një lokali

Xhiro e mirë dhe fitim i dobët është ankesa më e zakonshme e pronarëve. Zakonisht përgjigjja nuk është te çmimet, por te 20 gramët që askush nuk i mat.

Lista e kontrollit para sezonit turistik për lokalet

Sezoni nuk fillon në qershor — fillon në prill, kur rregullohen gjërat që në gusht nuk ke kohë t'i prekësh. Një listë kontrolli praktike për lokalet dhe beach bar-et.

Meny me QR kod: çfarë ndryshon vërtet në lokal

Meny dixhitale dhe porosi me QR shiten shpesh me të njëjtin emër, por zgjidhin dy probleme të ndryshme. Ja dallimi, si ta ngrini brenda një dite dhe çfarë të shmangni.

O

Shkruar nga

Oltion Elezi

Founder & CEO of Elei Soft