Numrat e turizmit shqiptar vazhdojnë të rriten: sipas të dhënave të INSTAT-it të raportuara për gjashtëmujorin e parë të 2026, vizitorët e huaj arritën rreth 5 milionë, nga rreth 4.8 milionë një vit më parë, ndërsa të ardhurat nga vizitorët e huaj shënuan rekord për një gjashtëmujor të parë. Qëndrimet në strukturat akomoduese u rritën me rreth 17% në qershor krahasuar me një vit më parë.
Për një lokal bregdetar kjo do të thotë një gjë shumë konkrete: mbrëmjet e gushtit nuk falin asnjë gjë të palidhur si duhet. Gjithçka që nuk e keni rregulluar në prill, do ta paguani në pik të sezonit — me radhë, me gabime dhe me staf të mbingarkuar.
Kjo është lista që u japim lokaleve para hapjes. Nuk kërkon shitës dhe nuk kërkon buxhet të madh; kërkon dy javë kohë në momentin e duhur.
Gjashtë javë para hapjes
Menyja dhe çmimet
- Hiqni artikujt që nuk u shitën sezonin e kaluar. Menyja e gjatë ngadalëson porosinë dhe rrit humbjet.
- Rishikoni çmimet përballë kostove aktuale të furnitorëve, jo përballë atyre të vjeshtës së kaluar. Si llogaritet, e keni te kostoja e recetave.
- Sigurohuni që menyja të ekzistojë të paktën në shqip dhe anglisht.
Inventari dhe recetat
- Përditësoni recetat për artikujt e rinj, që inventari të zbresë saktë nga dita e parë.
- Vendosni sasitë minimale për produktet kritike — akull, birrë, kafe — që porosia te furnitori të mos varet nga kujtesa e dikujt.
Dy javë para hapjes
Stafi dhe të drejtat
- Krijoni llogari të veçanta për çdo punonjës sezonal. Llogaria e përbashkët "kamarier1" e bën të pamundur të dini kush bëri çfarë.
- Kufizoni ato që nuk duhen: anulimet, uljet e çmimit, hapjen e sirtarit.
- Mbani një trajnim të shkurtër me pajisjet reale, jo me shpjegim me gojë. Kamarieri i ri duhet të bëjë porosinë e parë brenda 15 minutash.
Pajisjet
- Testoni çdo printer me një faturë reale, jo me testin e printerit. Kontrolloni ngarkesën e letrës dhe mbani rezervë.
- Ngarkoni dhe kontrolloni bateritë e pajisjeve të kamarierëve; një tablet që fiket në orën 21:00 ndalon një stacion të tërë.
- Kontrolloni mbulimin WiFi në cepat e largët — te çadra e fundit, në katin e dytë, te terraca. Mos e matni te banaku.
Kodet QR
- Printoni kode të reja për tavolinat dhe çadrat e shtuara; kontrolloni që çdo kod të çojë te numri i saktë.
- Ndërroni kodet e zbehta ose të gërvishtura nga sezoni i kaluar.
- Skanoni disa prej tyre nën diell të fortë — kontrasti i dobët duket vetëm atëherë.
Java e hapjes
Prova e ndërprerjes
Bëni një provë që shumica nuk e bën kurrë: fikeni ruterin dhe merrni tri porosi. Nëse sistemi ndalon, e keni zbuluar në prill dhe jo në një të shtunë gushti me lokalin plot. Pse ka rëndësi, e kemi shpjeguar te POS që punon pa internet.
Rezervimet
- Vendosni si merren rezervimet dhe kush i shënon. Rezervimet në tri vende të ndryshme — telefon, Instagram, bllok — janë burimi më i zakonshëm i tavolinave të dyfishuara.
Pika zero e raporteve
- Shënoni ku e filloni: xhiroja mesatare për faturë, numri i faturave në ditë, ora e pikut. Pa këtë pikënisje, në shtator nuk dini dot nëse sezoni shkoi më mirë apo thjesht më gjatë.
Gjatë sezonit: tri gjëra në javë
Kur lokali është plot, koha për analiza nuk ekziston. Mjaftojnë tri gjëra çdo javë:
- Kontrolloni humbjet e inventarit për 5–10 produkte kritike, jo për të gjitha.
- Shihni xhiron sipas punonjësit — dallimet e mëdha tregojnë ose trajnim që mungon, ose diçka tjetër.
- Krahasoni orët e pikut me numrin e stafit në turn. Në shumicën e lokaleve, një orë e vetme e mbuluar keq kushton më shumë se një ditë e tërë e qetë.
Pas sezonit
Mbylleni sezonin me një orë punë, jo me lehtësim. Shkruani tri gjërat që ju kushtuan më shumë kohë — pajisja që u prish, stacioni që mbeti pa mbulim, procesi që nuk funksionoi — dhe vendosini në kalendar për prillin tjetër. Kjo listë është shkruar pikërisht nga ato shënime.
Nëse doni ta kaloni sezonin e ardhshëm me çadrat, porositë dhe turnet në një sistem të vetëm, na shkruani para hapjes, jo në korrik.
Pyetje të shpeshta
Kur duhet filluar përgatitja e sistemit për sezonin?
Të paktën një muaj para hapjes, dhe dy muaj nëse do të ndërroni sistem. Pjesa teknike merr pak ditë; menyja, recetat, të drejtat e stafit dhe trajnimi janë ato që zgjasin.
Sa kode QR duhen për një beach bar?
Një për çdo çadër, plus tavolinat e barit. Një kod i vetëm për gjithë plazhin e bën të pamundur lidhjen e porosisë me vendin ku duhet çuar.
Si t'i jap të drejta stafit sezonal?
Llogari e veçantë për secilin, me të drejta minimale: marrje porosie dhe mbyllje turni. Anulimet, uljet e çmimit dhe raportet mbahen te menaxheri.
Çfarë duhet kontrolluar patjetër para hapjes?
Mbulimi i rrjetit te pika më e largët, çdo printer me një faturë reale, çdo kod QR me një skanim real, dhe një provë me internetin e fikur.



